
A do të ndërtohet në këtë zonën perreth pishinave tek Kodrat e Liqenit të Tiranës? Sipas demokratëve, po.
Madje sipas tyre, zona mban një emër të koduar, U12-07. “U12-07 është kodi i një sipërfaqeje të parashikuar për t’u betonuar nga Bashkia e Tiranës, e cila shtrihet në afërsi të Kodrave të Liqenit Artificial, kopshtit zoologjik dhe parkut të lodrave të akuadromit. Aty përfshihet një sipërfaqe e studiuar për t’u betonuar prej 130 mijë m2”, deklaron deputeti demokrat, Florion Mima.
Ai akuzon se nga 90% e sipërfaqes për ndërtim i është akoduar njerëzve të afërt me kryebashkiakun Rama dhe vetëm 10% për firma që nuk kanë lidhje me të.
“Në emër të deputetëve të Tiranës i bëj thirrje kryeministrit që ështe njëherazi edhe kryetar i KRRTRSH-së të marrë masa urgjente për ta shndërruar këtë zonë nga një zonë me intensitetit të lartë ndërtimi në një zonë rekreacioni në harmoni edhe me pjesën tjetër të zones”, shtoi Mima.
Por reagimi nga Bashkia e Tiranës nuk vonoi. Pa u ndalur në detaje në të ashtuquajturën zonë U12-07, zëdhënësi i Bashkisë Florian Serjani akuzoi deputetin Mima për shpifje. Zëdhënësi përmendi rikonstruksionin e parkut të liqenit, për të ilustruar sipas tij vizionin e Bashkisë për këtë zone.
Top Channel