Kombëtarja s’gjen stadium për stërvitje

09/08/2010 20:20

Është grumbulluar e plotë përfaqësuesja kuqezi ditën e hënë, në prag të miqësores me Uzbekistanin që do të luhet më 11 gusht në Durrës.

Por nuk ka shkuar gjithcka sipas programit në këtë seancë stërvitore. Pavarësisht paralajmërimeve rreth një javë më parë të kompleksit “Skënder Halili”, apo edhe të stadiumit “Selman Stërmasi”, stërvitja në ditën e dytë të grumbullimit të përfaqësueses sonë përvecse është shtyrë në orar nga ora 18 në 18.30, ka hasur edhe vështirësi në gjetjen e një vendi për t’u stërvitur, gjë që e ka nervozuar jo pak trajnerin kroat Josip Kuzhe.

Në kompleksin sportiv “Skënder Halili”, në orarin e paralajmëruar për stërvitjen e kombëtares po zhvillonte seancën stërvitore Tirana, duke i detyruar lojtarët që të shkojnë për në stadiumin “Selman Stërmasi”, por edhe aty ishte e pamundur.

Në këtë stadium kishte filluar stërvitjen ekipi kundërshtar i Uzbekistanit, i cili mbërriti ditën e sotme në Tiranë.

Konfuzioni i krijuar e nxorri 22-shen e kombëtares në një aneks të kompleksit “Skënder Halili”, në pritje të përfundimit të stërvitjes së Tiranës.

Nga ora 18, e përcaktuar për t’u zhvilluar kjo seancë stërvitore, trajneri dhe stafi i tij u detyruan që të fillojnë stërvitjen një orë me vonesë.

Pas gjithë këtyre peripecirave, ekipi përfaqësues ka zhvilluar seancën stërvitore normalisht në ditën e tij të dytë, ku trajneri Kuzhe po sheh nga afër gjendjen e lojtarëve dhe po përgatitet për ndryshimet e reja të formacionit me elementët e rinj të grumbulluar.

Ndeshja miqësore me Uzbekistanin do të zhvillohet ditën e mërkurë në stadiumin e rikonstruktuar të Durrësit, “Niko Dovana”, ditë në të cilën do të inaugurohet dhe impianti i ri i ndricimit.

Top Channel