Gjermani, policia mbyll xhaminë e 11 shtatorit

09/08/2010 19:50

Policia gjermane ka mbyllur xhaminë e qytetit të Hamburgut, ku atentatorët e 11 shtatorit u takuan para se të kryenin sulmet vetëvrasëse në SHBA në vitin 2001.

Agjentët e policisë deklaruan se dyshojnë se xhamia Taiba po përdorej sërish si një vend takimi për ekstremistët islamikë.

Një raport i hartuar vitin e kaluar nga shërbimet sekrete gjermane thoshte se shumë myslimanë radikalë kanë udhëtuar drejt kampeve të stërvitjeve në Uzbekistan pasi ishin mbledhur më parë në xhaminë në fjalë.

“Ne e mbyllëm xhaminë për shkak se ajo ishte një pikë takimi dhe rekrutimi për ekstremistët islamikë që donin të merrnin pjesë në atë që ata e quajnë lufta e shenjtë”, ka deklaruar Frank Reschreiter, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme.

Ai ka shtuar se 20 agjentë policie kontrolluan objektin e kultit dhe sekuestruan një sërë materialesh, mes të cilave disa kompjutera.

Top Channel