Euro 2011, Shqipëria e nis me humbje

09/08/2010 17:25

Kombëtarja shqiptare e basketbollit e nisi me humbje fazën eliminatore të Euro 2011. Në pallatin e sportit “Asllan Rusi” kuqezinjtë u mundën nga Azerbajxhani me rezultatin 81-63.

E filloi mirë kombëtarja jonë këtë ndeshje, por në 2 periodat e fundit ishte përmbysur gjithcka.

Kuqezinjtë e mbyllën periodën e parë të ndeshjes në kryesimin 19-17. Edhe fillimi i periodës së dytë ishte i mirë për ne, pasi diferenca shkoi në 5 pikë pas një gjuajtjeje të saktë 3 pikëshe të kapitenit Ermal Kuqo, i cili e mbylli ndeshjen me 17 pikë personale.

Me kalimin e minutave kombëtarja jonë bëri shume gabime si në lojën mbrojtëse, ashtu dhe atë sulmuese dhe nga kjo përfituan basketbollistët e Azerbajxhanit të cilët morën frenat e lojës në dorë.

Diferenca e krijuar u rrit shumë pas periodës së dytë e cila përfundoi me rezultatin 48-33. Ishin këto 10 minuta të dyta që vendosën fatin e kësaj ndeshjeje, pasi Azerbajxhani në dy periodat e tjera të mbetura e administroi mjaft mirë rezultatin e ndeshjes, pavarësisht nga përpjekjet e skuadrës sonë për të ndryshuar dicka.

Me rezultatin përfundimtar 81-63 për Azerbajxhanin u mbyll ky takim dhe tashmnë kombëtarja jonë pritet të fillojë përgatitjet për ndeshjen e dytë ndaj Bjellorusisë që do të zhvillohet në 11 gusht.

Top Channel