Specialistët: Kujdes me diellin dhe ushqimet

06/08/2010 14:00

Ministria e Shëndetësisë u rekomandon qytetarëve të jenë të kujdesshëm ndaj disa risqeve që kërcënojnë shëndetin e tyre për shkak të temepraturave të larta apo dhe ambjenteve të ndotura në zonat ku ata zgjedhin për të pushuar.

Drejtori i Shëndetit publik në këtë ministri, Gazmend Bejtja ka vlerësuar si tre risqe që cënojnë jetën e qytetarëve konsumin e alkoolit, konsumin e ushqimeve të pasigurta, si përsa i përket prodhimit, por edhe ruajtjes së tyre.

“Në cdo rast kur shtetasit vënë re që në ambjentet ku shërbehet ushqim ka papastërti duhet ta shmangin atë. Ushqimi duhet të ruhet në frigorifer, në temperaturën e duhur. Shtetasit të shmangin përdorimin e ushqimeve që nuk janë ruajtur si duhet”, ka deklaruar Bejtja.

Sipas tij, moskonsumi i alkoolit do të thotë reduktim të aksidenteve në 20%, kur nga të dhënat e policisë rezulton se shkaku kryesor i aksideneteve muajt e fundit ka qenë përdorimi i pijeve alkolike.

Por, një risk tjetër që kanos shëndetin e qytetarëve është dhe ekspozimi në diell i pushuesve në orët më të papërshtatshme, një mani kjo kryesisht e femrave për të marrë ngjyrë.

“Është vënë re se ka ende ekspozim ndaj diellit për një kohë të gjatë. Rekomandohet që të shmanget ekspozimi nga ora 11 në 15. Rekomandohet gjithashtu që fëmijët të mos lejohen të flenë në cadra”, ka shtuar Bejtja.

Gjatë sezonit turistik është rritur ndejshëm dhe nurmi i qytetarëve që paraqiten tek mjeku për shkak se neglizhojnë kujdesin si ndaj pijeve alkolike ashtu edhe kujdesit ndaj ushqimit apo rrezeve të diellit.

Top Channel