
Shoqata e Ndërtuesve ka zhvilluar këto ditë një takim me disa nga drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Financave.
Mësohet se objekt i takimit ka qenë zbatimi i marrëveshjes që ndërtuesit kanë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-Taksave, sa u takon çmimeve minimale për efekt të tatimeve dhe detyrimeve fiskale.
Mësohet nga ndërtuesit që tatimet nuk po i qëndrojnë strikt marrëveshjes me çmimet e caktuara, por kërkojnë të vjelin përtej niveleve të caktuara në paktin e firmosur gati tre vite më parë.
Sektori i ndërtimit po përjeton një situatë të vështirë që prej dy vitesh, si efekt i krizës ekonomike, mungesës së lejeve dhe shtrëngimit të kushteve për kredi nga bankat.
Në disa deklarata rresht, ndërtuesit kanë paralajmëruar se do të marrin masa për zgjidhjen e problemit, ku njëra është thënë se do të jetë edhe greva, duke pezulluar punimet.
Në takimin e ministrisë, palët kanë diskutuar edhe problemet e tjera që lidhen me sektorin, siç janë pallatet e pahipotekuara, çmimet referencë mbi pagat, njësitë e ndërtimit etj.
Tjetër problem lidhet me borxhin që qeveria u ka ndërtuesve. Bëhet fjalë për rreth 50 milionë euro detyrime të papaguara nga qeveria, për punime që ndërtuesit i kanë kryer, por që janë shlyer, si efekt i mungesës së të ardhurave në buxhet.
Por si Ministria e Financave ashtu dhe ajo e Transporteve, deklarojnë se nuk kanë asnjë detyrim të prapambetur dhe se ajo çfarë ka ngjarë lidhte me punimet e përshpejtuara të ndërtuesve, përtej mundësive për të paguar ndryshe nga sa thotë kontrata.
Top Channel