Maturantët, fituesit, në fund të gushtit

06/08/2010 10:20

Nëse maturantët pretendojnë se i kanë numëruar tashmë pikët që kanë grumbulluar në total, gabohen.

Kjo, për shkak se burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se secili prej tyre do të mund të mësojë zyrtarisht se sa pikë ka arritur të grumbullojnë pas katër provimeve të Maturës Shtetërore në fund të muajit gusht.

Një praktikë e tillë, sipas tyre, ndihmon në transparencë, por edhe për të qenë më të sigurt për pikët që i takojnë çdo nxënësi.

Duke qenë se rezultatet e arritura nëpërmjet zhvillimit të procesit të Maturës Shtetërore, tashmë janë bërë publike, APRIAL-i pritet të nisë punën për të bërë një llogaritje të saktë pesë notave të secilit kandidat.

Në të përfshihen rezultatet e marra në provimin e letërsisë, matematikës, të dy testeve me zgjedhje, si dhe nota mesatare e shkollës së mesme.

Vetëm nëpërmjet kësaj mënyre, nxënësit do të jenë më të qartë për të dalluar sesa pikë kanë grumbulluar në total, pikë me të cilat ata do të hyjnë në garë për të fituar degën e tyre të preferuar.

Listat e fituesve në fakultete të ndryshme pritet të afishohen në fund të muajit gusht.

Kjo, për shkak se gjatë javës së parë të këtij muaji do të zhvillohen konkurset në ato degë, ku kriter kryesor për përcaktimin e fituesve nuk është Matura Shtetërore, por konkursi i përcaktuar nga vetë fakulteti.

Top Channel