Berisha në jug, promovon investimet

06/08/2010 15:35

Kryeministri Sali Berisha ka nisur pushimet disaditore në bregdetin e Jonit, por ai nuk do të shmangë disa detyra kryeministrore, që zoti Berisha i ka për zemër, inaugurimet.

Një gjë që e nisi që ditën e parë të pushimeve në fshatin malor dhe piktoresk te Pilurit, ku u inaugurua segmenti i parë rrugor që lidh fshatin me rrugën nacionale të Bregut, një zonë që njihet edhe për traditën e pasur folklorike.

Në të gjithë zonën turistike të bashkisë së Himarës, kryeministri tha se janë ndërtuar 60 kilometra rrugë, 40 prej të cilave vetëm në fshatra, duke i dhënë një zhvillim të menjëhershëm turizmit.

“Kur ka ndryshuar kaq shpejt dhe kaq për mirë kjo zonë më shumë se këto 5 vite? Ku u morën këto fonde? Të gjitha këto fonde u morën së pari dhe para së gjithash duke u dalë zot parave tuaja, taksave dhe kontributeve tuaja dhe unë ju jap fjalën ju se, përsa kohë të më votoni mua, do ta kem betejën e parë për jetë a vdekje”, ka deklaruar Berisha.

Fjalimin që mbajti në Pilur, kryeministri Berisha e shfrytëzoi për të nxjerrë në pah rezultatet e qeverisë së tij në raport me jetën e qytetarëve, duke e vënë theksin tek pagat dhe pensionet dhe duke i krahasuar ato me qeverisjen socialiste.

“Unë e kuptoj që për pensionistët të ardhurat që marrin janë pak për ta dhe jam i vetëdijshëm, por unë kërkoj mirëkuptimin e tyre, sepse në vitin 2005 i gjithë fondi i pensioneve ishte 50 miliardë lekë, cfarë ishte vendosur në të nga vitet ‘50 deri në 2005. Sot, fondi i pensioneve është 109 miliardë lekë, pra është mbidyfishuar. Sa ishin rrogat e administratës? 230 mijë lekë ishte rroga mesatare. Rroga mesatare sot është 460 mijë lekë”, ka theksuar Berisha.

Dhe kur flet për ekonominë e vendit, kryeministri Berisha nuk harron asnjëherë të replikojë me opozitën, e cila e akuzon se ka rritur borxhin publik të vendit dhe ka futur ekonominë në krizë.

“Dhe i dëgjoni sesi bërtasin, sesi përpiqen të mbjellin trilim dhe mashtrim cdo ditë, sesi derdhin lotë krokodili për borxhin. S’i keni borxh askujt. Asnjë qindarkë nuk kemi marrë borxh për rrogat dhe pensionet tuaja. Asnjëherë. E kunderta ka ndodhur. Kemi gjetur një borxh prej 72% të prodhimit vendas. Sot është 59%, por kemi sot një Shqiperi tjetër, një Shqipëri anëtare të NATO-s, një Shqipëri, qytetarët e së cilës në muajt e fundit të këtij viti do të lëvizin të lirë në mbarë Europen. Kjo është vepra jonë e përbashkët”, ka shtuar Berisha.

Top Channel