
Çështja e hetimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009 vazhdon të jetë pezull mes dy partive politike, ndërkohë që në shtator pritet të nisin përgatitjet për zgjedhje të reja.
Ndonëse janë në nivel lokal, dy partitë kryesore pritet të përqendrojnë të gjitha forcat e tyre për administrimin e strukturave partiake për të dalë fitimtarë nga këto zgjedhje.
Jo vetëm kaq, por edhe LSI do të hyjë në këto zgjedhje për të testuar elektoratin e saj pas vendimit për t’u bërë pjesë e qeverisë “Berisha”.
Në muajin gusht, dy spektret e mëdha politike priten të vazhdojnë serinë e negociatave të fshehta për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Për dy krerët e grupeve parlamentare PD dhe PS nuk do të ketë pushime në muajin gusht. Ngërçi i bisedimeve është fati i kutive të votimit dhe nëse deri në shtator nuk është zgjidhur kjo çështje, pritet që shumë shpejt një problem të mbulojë tjetrin dhe partitë politike të përgatiten për zgjedhjet e ardhshme.
Të dyja palët janë shprehur të gatshme që edhe në muajin gusht të votojnë ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, por ato ndahen në interpretimin që i bëjnë Rezolutës së Parlamentit Europian për çështjen e fletëve të votimit.
PS-ja është e qëndrimit edhe në amendamentet e fundit që ka bërë, se fletët e votimit të zgjedhjeve të shkuara duhet të qëndrojnë të paprekura deri në përfundim të hetimit.
Ndërsa PD-ja thekson se për fletët e votimit duhet të ketë një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe më pas, nëse kërkohet, edhe një opinion i Komisionit të Venecias.
Top Channel