Përurohet rruga e Shkozetit

04/08/2010 12:10

Asfalti është i freskët dhe rruga e hapur, për të pritur kryeministrin. Ky është një rast i mirë për kryeministrin Berisha për të ilustruar edhe me praninë e tij, ndryshimet në vend.

“Shpreh kënaqësinë e veçantë që inaugurojmë së bashku një bulevard të ri madhështor për qytetin e Durrësit, i cili po njeh këto vite kohërat më të bukura në 3 mijë vitet e fundit”, tha Berisha.

Kyreministri e shtjellon më tutje mendimin e tij, kur rendit investimet në rrugë, shkolla, qendra shëndetësore dhe kanalizime. Po ashtu, shton se Durrësi që ka edhe portin më të madh te vendit, është epiqendra e turizmit.

“Këtë vit numri i të huajve që vjen në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë ka një rritje prej 25%”, theksoi Berisha.

Më pas, kryeministri ftoi opozitën për të dëshmuar me praninë e saj ndryshimet që kanë ndodhur, sipas kryeministrit, në Durrës dhe në mbarë vendin.

“Le të ftojmë sot kollagjerët e krizës të kalojnë një ditë në plazhin e Durrësit, por jo me gjyslykët e tyre, të bisedojnë me njerëzit të bisedojnë me pushuesit dhe do të kuptojnë se flasin nga ana e pasme e hënës, se flasin nga errësira. Shqipëria është krejt tjetër. Unë ftoj sërish deputetët socialistë të vijnë në këto inagurime sepse këto nuk kanë karakter partiak, përkundrazi këto janë për të gjithë shqiptarët, këto janë mundi dhe djersa e shqiptarëve, e shndërruar në vepra, në rrugë, në shkolla, në ujësjellsa e kanalizime”, deklaroi kreu i qeverisë.

Rruga nga Ura e Dajlanit te Kodra e Rrashbullit në Durrës ka ndriçim dhe sinjalistikë rrugore. Në mes, janë mbjellur ullinj. Fatura totale e këtij rikonstruksioni është 2 milionë euro, të paguara nga qeveria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA