Pagat nuk janë rritur, korriku pa shtesa

04/08/2010 15:10

Vendimi i qeverisë për rritjen e pagave të administratës i cili do hynte në fuqi nga 1 korriku ka rezultuar nul. Punonjësit e administratës i kanë marrë pagat e muajit korrik pa asnjë rritje, në të njëtën shumë si ato të qershorit.

Të pyetura nga Top Channel burime nga Ninistria e Financave e justifikojnë mosrritjen e pagave me vonesat në proçedurat për zbardhjen e vendimit të qeverisë. Sipas tyre vendimi i marrë në datën 8 korrik ende nuk është zbardhur për t’u kaluar zyrtarisht institucioneve që t’i përllogarisin pagat e punonjësve të tyre sipas niveleve të reja.

Ende nuk është e qartë se kur punonjësit e administratës do i marrin pagat e rritura. Gjasat janë që shtesa të mund të behet efektive muajin tjetër. Por ndryshe nga sa ka ndodhur me rritjen e pagave, proçedurat nuk kanë penguar hyrjen në fuqi të një vendimi tjetër, i cili rrit detyrimet e kontributeve për pagat e larta.

Të gjithë punonjësit e administratës, me pagë më të lartë se 80 mijë lekë e kanë marrë pagën e korrikut jo me rritje, por me ulje për shkak se qeveria rriti tavanin e përllogaritjes së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga 80 mijë në 84 mijë lekë.

Kjo është hera e parë kur proçedurat burokratike të qeverisë vonojnë hyrjen në fuqi të rritjes së pagave. Vitet e tjera vendimi i qeverisë për rritjen e pagave është bërë gjithmonë efektiv në datën 1 korrik dhe në fillim të gushtit, punonjësit e administratës kanë marrë pagat e rritura. Madje vitin e kaluar, rritja e pagave hyri në fuqi që në datën 1 maj, dy muaj përpara zgjedhjeve.

Në mbledhjen e datës 8 korrik qeveria vendosi rritjen e rrogave të administratës shtetërore e cila varionte nga 2 deri ne 11 përqind, me përparësi pagat e ulëta.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA