Britania e Madhe paralajmëroi Serbinë se cdo përpjekje kundër pavarësisë së Kosovës do të ngjallë përplasje me vendet që mbështesin shtetin e ri.

Ambasadori britanik në OKB, Philip Parham tha se ka ardhur koha për t’i dhënë fund cdo debati për pavarësinë dhe për cështjet territoriale të Kosovës.

“Procesi ligjor para GJND-së përfundoi dhe kjo do të thotë fundin e debateve për statusin e Kosovës dhe kufijve ekzistues të saj. Cdo përpjekje e Serbisë kundër pavarësisë do ta përplasë atë me Perëndimin. Cdo përpjekje që inkurajon ndarjen e Kosovës është kundër qytetarëve të saj”, deklaroi Parham.

Në të njëjtën linjë u shprehën edhe Shtetet e Bashkuara. Zëvendësambasadorja Rosemary Di Carlo deklaroi se kufijtë e Kosovës tashmë janë të paprekshëm.

Por ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremic kundërshtoi deklaratat duke theksuar se vendimi i GJND-së mbi pavarësinë është keqinterpretuar.

Ai përsëriti qëndrimin e Beogradit për të mos e njohur kurrë Kosovën dhe për të vazhduar luftën për mbrojtjen e kufijve të Serbisë.

“Ne do të vazhdojmë të përdorim cdo burim diplomatik për të ndryshuar kufijtë tanë në kohë paqeje. Asnjë komb që përballet me një kërcënim do të vepronte ndryshe”, u shpreh Jeremic.

Ndërsa ministri i Jashtëm kosovar Skënder Hyseni kërkoi zëvendësimin e rezolutës 1244. “Ka ardhur koha për një rezolutë të re që të reflektojë situatën pas pavarësisë dhe pas vendimit të GJND-së”, tha ai.

Ndërsa shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier vlerësoi se situata e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme, por mbetet e brishtë në veri të saj.

Kjo situatë sipas tij vjen si pasojë e mungesës së zhvillimit ekonomik dhe social në këtë zonë të shtetit të ri.

Prishtina pas vendimit të GJND-së pret një valë të re njohjesh të pavarësisë, ndërsa Serbia ka paraqitur një rezolutë që e kundërshton atë.

Ambasadori Parham tha se kjo e fundit është e papranueshme dhe vështirëson anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA