
Nipi i merr paratë e pensionit gjyshit, ky i fundit e denoncon në polici. Gjithsej 5.5 milionë lekë ka humbur një i moshuar, të gjitha kursime nga pensioni i tij, teksa dyshohet se ia ka marrë nipi i tunduar.
Dhjetë ditë më parë është paraqitur në Komisariatin nr. 4 një i moshuar, ish-partizan.
Ai ka denoncuar para uniformave blu humbjen e parave, të cilat i mbante në shtëpi.
I moshuari nuk kishte asnjë dyshim te familjarët, ndaj dhe iu drejtua policisë.
Nëse i nipi nuk do të ishte larguar për disa ditë, asnjëherë nuk do të kishte vënë gishtin mbi të.
Burime policore thanë se 20-vjeçari Spartak Snoli u kthye në i dyshuar sapo ai kishte lënë për disa ditë banesën, ku kishte shkuar me shokët për turizëm në Durrës, Vlorë, Sarandë.
I riu, kur ishte kthyer nga pushimet, u akuzua nga i gjyshi se ai ishte vjedhësi i parave dhe askush tjetër.
I nipi nuk pranonte të kishte bërë një gjë të tillë, ndaj dhe policia e ka thirrur për të dëshmuar nëse kishte apo jo dijeni për vjedhësin.
Teksa ka parë policët të kërkonin me ngulm hajdutin, në revoltë e sipër iu ka thënë se ishte ai hajduti dhe se s’kishin pse kërkonin diku tjetër.
Po ashtu, në këtë moment sinqeriteti, Spartaku ka thënë se nuk e kuptonte impenjimin e madh të policisë, pasi ai kishte marrë paratë e familjes së tij, gjyshit të tij dhe nuk kishte pse të bëhej e madhe.
Kaq ka mjaftuar që gjyshi t’i thotë në sy të hetuesve se e kishte falur dhe paratë t’i bënin mirë.
I moshuari, i zënë ngushtë për rastin në fjalë, i ka shpjeguar policisë se ai i jepte gjithnjë para sa herë kërkonte nipi dhe nuk e kishte menduar se ai mund t’i bënte këtë të keqe.
Top Channel