Berat, grabiten shtyllat për skrap

04/08/2010 09:35

Vidhen shtyllat e neonit për skrap, lagjet muzeore në qytetin e Beratit zhyten në errësirë. Prej vitesh ndriçimi është kthyer në një gangrenë, sidomos për banorët e lagjes “Kala”.

Gjatë gjithë aksit, që nga xhamia që ndodhet në hyrje të rrugës dhe deri brenda rrugicave të saj, nuk ekziston asnjë lloj ndriçimi.

Fillimisht u dëmtuan fenerët dhe më pas një e nga një kanë filluar të zhduken shtyllat.

Dy vite më parë ekzistonte një projekt i Bashkisë Berat për ndriçimin e rrugicave të kalldrëmta, si dhe të mureve të kalasë, projekt që dështoi pa u zbatuar.

Persona të papërgjegjshëm, ende të paidentifikuar nga policia, dëmtuan rëndë rrjetin e ndriçimit, i cili ishte vendosur në muret e kalasë duke e grabitur atë.

Ndërsa projektet vijonin nga viti në vit dhe nuk janë kursyer fondet për ndriçimin e qytetit, përgjatë rrugës që lidh hyrjen e lagjes “Mangalem” me kalanë u vendosën shtylla dhe ndriçues të përshtatur me ambientet karakteristike të lagjes muzeore në formë fenerësh.

Por nuk kanë kaluar as gjashtë muaj dhe fenerët kanë filluar të thyhen, ndërsa shtyllat kanë filluar të zhduken.

Banorët shpesh ankohen për errësirën shqetësuese, pasi në orët e mbrëmjes rruga që të çon në kala është nën zotërimin e errësirës, ndërsa për turistët vendas e të huaj është makth i vërtetë, pasi mund të bëhen shënjestër e hajdutëve ordinerë.

Numri dy i Bashkisë së Beratit, Stavri Ceca, pohon për “Shqip” se projektet nuk kanë munguar nga ana e bashkisë për të ndriçuar lagjet muzeore, por shpeshherë janë vetë banorët ata që janë të pandërgjegjshëm, duke i thyer apo grabitur fenerët dhe deri edhe shtyllat.

“Disa herë kemi ndërhyrë duke riparuar si dhe duke vendosur ndriçues në këto lagje, por persona të papërgjegjshëm jo vetëm që i kanë shkatërruar, por kanë filluar edhe t’i marrin komplet shtyllat, duke i shitur për skrap”, ka thënë për gazetën nënkryetari i Bashkisë së Beratit.

Sipas tij, disa herë janë bërë denoncime në polici, por neglizhenca e organeve përkatëse kanë bërë që grabitësit të ndihen të qetë.

“Ndoshta duhet të merren masa më të ashpra për grabitës të tillë ose të nisin kontrolle në pikat e grumbullimit të hekurishteve. Duhen ndërhyrë konkretisht, në mënyrë që qyteti të mos vuajë të tilla pasoja”, apelon Ceca.

Dëmtimi i ndriçuesve jo vetëm prish imazhin e qytetit të UNESCO-s, por bën që vizitorë të shumtë, të cilët admirojnë këtë qytet, ta vizitojnë atë vetë gjatë ditës, për shkak të mungesës së ndriçimit në mbrëmje.

Top Channel