
Pavarësisht se seritë e takimeve zyrtare mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret për zgjidhjen e krizës politike në vend të paktën deri në këto momente, negociatat mes palëve nuk janë mbyllur dhe po vazhdojnë në distancë edhe në këto ditë të nxehta vere. (UPDATE)
Teksa PS e PD kanë gjetur gjuhën e përbashkët për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar me shumicën dhe drejtimin e opozitës, ngërçi mbetet sërish çështja e fletëve të votimit.
“Në këtë kontekst edhe gjatë këtyre ditëve, kemi bërë hapa konkretë. Edhe gjatë këtyre ditëve, zoti Ruçi i ka ofruar zotit Patozi propozime konkrete. Se cilat janë ato, në ç’mënyrë janë bërë dhe si do të reagojë përfaqësuesi i PD-së, kjo nuk më takon mua ta them pasi është një çështje ndërmjet dy kryetarëve të grupeve parlamentarë. Ne edhe këto ditë që po flasim nuk po rreshtim së kërkuari një zgjidhje me propozime konkrete. Çështja e zbatimit të rezolutës është serioze”, është shprehur deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj.
Socialistët kanë bërë të qartë se nuk do të lejojnë prekjen apo më keq djegien e fletëve të votimit, një aksion i tillë për opozitën do të thoshte ndërprerje përfundimtare e çdo marrëdhënieje me shumicën. Edhe për këtë pikë socialistët qartësojnë se e kanë bërë ofertën e tyre e cila, sipas Xhafajt, përkon me atë të ndërkombëtarëve.
“Në gjithashtu e kemi mbështetur dhe e kemi bërë pjesë të projektit të propozimeve tona drejtuar kundërshtarëve tanë politikë”, tha Xhafaj.
Duke ju referuar rezolutës së Parlamentit Europian, socialistët janë të gatshëm në çdo moment për mbledhjen në një seancë plenare të jashtëzakonshme ku të votohej ngritja e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.
“Nga dita që është bërë ajo rezolutë dhe deri më sot nuk ka asnjë reagim të kësaj mazhorancë për detyrat e shtëpisë. Dhe detyra kryesore është ngritja e komisionjit hetimor parlamentar. Ne jemi gati që nëse edhe sot kërkojnë ta mbledhin parlamentin të mblidhemi dhe të fillojmë punën”, deklaroi Xhafaj.
Në rast se negociatat dështojnë socialistët premtojnë vetëm qëndrim.
“Do të përballemi deri në fund, hap pas hapi”, përfundoi Xhafaj.
Top Channel