Sarandë, trotuaret “në grackë” nga makinat

02/08/2010 10:15

Këmbësorët e kanë gjithnjë e më të vështirë të kalojnë në trotuaret e qytetit të Sarandës.

Këtë fillim gushti, kur vihet re një fluks i shtuar i automjeteve të pushuesve dhe emigrantëve, sipërfaqet e trotuareve diku “pjesëtohen” e diku zaptohen tërësisht nga makinat apo nga tavolina lokalesh.

Në rrugën e parë mbi shëtitore dhe atë që njihet si rruga dytësore, për parkimet e makinave shfrytëzohet një prej korsive të gjerësisë së tyre.

Kthimi i trotuareve në parking pa asnjë pagesë, është bërë një “modë” sidomos në rrugën e tretë, ku ndodhet institucioni i gjykatës dhe prokurorisë së rrethit dhe një varg zyrash avokatie e noterie, që vërtiten rreth tyre.

Qytetarë të shumtë gjatë ditës u drejtohen atyre dhe zgjidhja për parkimin e automjeteve të tyre është e atypëratyshme: ngjiten në trotuare dhe askush nuk i ndëshkon për këtë “hyrje” në pjesë të këmbësorëve.

Nga ana e shërbimit të qarkullimit rrugor njihet mirë kjo situatë, e megjithatë nuk veprohet.

“Brenda qytetit është policia bashkiake që përgjigjet”, reagojnë.

Ndërsa me riorganizimin e këtij shërbimi, policia bashkiake nuk po mësohet me këtë detyrë të re funksionale.

Dhe trotuaret gjithnjë e më shumë përdoren si parking për autoveturat. Nga kjo shkelje “falen” vetëm ato pjesë trotuari që përkojnë me hyrjen e lokaleve private të shërbimit.

Si të mos mjaftonte kjo, në pakësimin më tej të “pjesës” së këmbësorit, janë në lojë edhe tregtarët.

Rrallë gjen bar-kafe,e madje edhe njësi të shitjes së zarzavateve apo agjenci udhëtarësh për në Athinë, që të mos “rrëmbejnë” pjesë nga trotuari, duke vendosur tavolina e karrige shërbimi në trotuar, apo duke ekspozuar mallra lloj-lloj.

Shpesh kjo ndodh me lokale që gjenden vetëm disa metra larg bashkisë apo në të njëjtën rrugë me të.

Mania për të rrëmbyer sa më shumë nga hapësirat publike ka bërë që këtë verë të guxohet që mbrëmjeve edhe gjerësia e shëtitores buzë detit të ngushtohet dukshëm nga karriget e fastfood-eve apo të tavernave verore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA