Plazhet më të ndotura në vend, ku specialistët rekomandojnë deri edhe mosfrekuentimin nga pushuesit për shkak të ngarkesave të larta mikrobiologjike në ujë, janë plazhi i Durrësit kryesisht në Currila, plazhi Zhiron tek brryli, në zonën e shkëmbit të Kavajës tek Plepat, ku rezultatet e analizave janë alarmante.
Në një raport të Ministrisë së Mjedisit me analiza të ujërave të deteve, kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, rezulton se plazhi i plepave në Golem është i ndotur përtej parametrave të OBSH dhe komunitetit europian pasi jo vetëm ujërat detare kanë ngarkesë të lartë bakteriologjike, por në gjendje alarmante është edhe mjedisi i plazhit, ku në mes të rërës vihen re kanale ujërash të zeza dhe pellgje ujërash urbane që kundërmojnë erë të rëndë.
Për gjashtë muaj me rradhë, deri në fund të muajit korrik janë kryer tre seri monitorimesh në të gjithë vijën bregdetare që shfrytëzohen nga pushuesit.
Situatë e rënde paraqitet edhe në plazhin e vjetër në qytetin Vlorës. Gjithashtu gjatë zonës Skelë –Plazh i Ri derdhen kanale të shumta të ujërave të zeza. Edhe në plazhin e ri specialistët kanë konstatuar ngarkesa të larta bakteriologjike në ujë.
Në zonën jugore të vendit specialistët rekomadojnë plazhet pas tunelit në Vlorë, Radhimën, plazhin e Orikumit, Dhërmiut Himarës dhe Borshit, madje këto mund të konsiderohen plazhet më të pastra në vend.
Edhe plazhet e Sarandës rezultojnë brenda normave të lejuara nga OBSH me përjashtim të plazhit në Kanalin e Cukës ku rezultatet i kapërcejnë këto norma.
Ndërsa në zonën veri-perëndimore, në e plazhet e Shëngjinit dhe të Velipojës, ujërat detare janë brenda normave, por vihet re mungesë e kushteve higjienosanitare në mjedisin përreth dhe ndotje e sipërfaqes së rërës nga mbeturinat.
Sipas raportit, faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetare, jane shkarkimet e ujërave të zeza në det si dhe shkarkimete ujërave urbane të patrajtuara të cilat derdhen direkt apo indirekt në det.
Ndonëse janë ndërtuar hotele luksoze investitorët nuk kanë menduar se një ditë pushuesit do t’u largohen vetëm nga ndotja që ata krijojnë.
Top Channel