Vetëm një javë përpara përurimit, një grup personash kanë dëmtuar mëngjesin e së hënës, afërsisht 2 kilometra të sisitemit të ndricimit të segmentit rrugor që të con në Petrelë.
Financimi i komunës për të krijuar kushtet sa më komode për komunitetin vendas, si edhe për vizitorët e kalasë së Petrelës, është dëmtuar në pjesën më të madhe të saj.
Dyshimi i policisë mbetet se vepra është shkatërruar nga persona afër kësaj zone, të cilët kanë zhveshur kabllot elektrikë dhe kanë marrë fijet e bakrit brenda saj, me qëllim shitjen e tyre.
Por nënkryetari i kësaj komune, Hysni Kerciku shprehet se pavarësisht dëmtimeve, vepra do të inaugurohet së shpejti duke i bërë thirrje komunitetit të mbrojë investimin komunar pasi është pjesë e të gjithëve.
“Kjo është një vepër e rëndësishme që ne brenda një jave do ta përuronim, por fatkeqësisht janë dëmtuar 1500 metra kabëll. Unë besoj se do jemi në kohë për përurimin e kësaj vepre dhe iu bëj thirrje qytetarëve që nëse konstatojnë të tilla raste të na njoftojnë pasi ne jemi në gjëndje t’i shmangim”, ka deklaruar Kerciku.
Dëmi ende nuk është përllogaritur, por ai kap shifrën 2 deri në 3 milionë lekë të reja. Policia ka deklaruar se ka nisur hetimet në lidhje me dëmtimin.
Petrela prej kohësh është kthyer në një zonë të frekuentuar nga banorët e kryeqytetit. Komuna ka krijuar kushte optimale duke financuar në sistemin elektrik, atë të ndricimit, të ujësjellësit, si edhe të segmentit rrugor që të con në qendrën e Petrelës.
Top Channel