OKB, ndihmë në luftën kundër trafiqeve

02/08/2010 15:50

Në prani të shefave të departamenteve që luftojnë krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme, përfaqësues të zyrës së Kombeve të Bashkuara kanë vijuar projektin e nisur gjashtë vite më parë, duke i dorëzuar policisë shqiptare pajisje që do përdoren nga Drejtoria e forcës së posacme operacionale, një strukturë kjo tepër e rëndësishme gjatë hetimeve dhe përgjimeve që iu bëhen grupeve kriminale.

Zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka e vlerësoi këtë donacion të bashkëfinancuar nga qeveria gjermane, si një mbështetje kundër krimit të organizuar.

“Lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe pastrimit të parave vazhdon të mbetet një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, dhe vazhdimi i rritjes se kapaciteteve në këtë drejtim u theksua dhe gjatë takimit të fundit të Komitetit Ndërministror për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit”, ka deklaruar Peka.

Ndërsa ambasadori gjerman Bernard Borchard u fokusua tek aleanca mes vendeve në luftën ndaj krimit.

“Krimi i organizuar është një fenomen që prek jo vetëm Shqipërinë por edhe Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane, ndaj është me rëndësi të tejskajshme që të ketë bashkëpunim të ngushtë midis vendeve tona. Ky projekt, së bashku edhe me projekte të tjera të financuara nga qeveria gjermane, si projekti rajonal në fushën e zbatimit të ligjeve, në mbështetje të Reneas dhe në ndihmë të sistemit gjyqësor në Shqipëri, kanë pasur si qëllim që të mbështesin Shqipërinë në arritjen e standarteve të përcaktuara në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave”, ka pohuar Borchard.

Projekti i zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin, për kontrollin kufitar dhe drejtësinë penale, ka si synim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet doganave dhe policisë në luftën kundër krimit ndërkufitar në kufirin e gjelbër dhe atë detar.

Të treja fazat e këtij projekti kapin vlerën e 2,1 milionë dollarëve, me donatorë qeverinë italiane me 1,5 milionë dollarë dhe qeverinë gjermane me rreth 600.000 mijë dollarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA