Brenda muajit gusht, listat e të rinjve që do të vazhdojnë universitetin do të behën publike në të gjithë vendin.
Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj sqaron se këtë vit degët më të preferuara janë mjekësia, ekonomiku dhe informatika.
Ndryshe nga vitet e shkuara, të rinjtë janë treguar më realistë në kërkesat e tyre, pasi kanë llogaritur pikët dhe në bazë të tyre kanë zgjedhur degën.
“Kandidatët për studentë janë bërë më konkretë dhe praktikë edhe nga asistenca e dhënë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për të përthithur degët që kapin përmes pikëve. Trend po marrin edhe universitetet bujqësore, si ai i Kamzës. Nuk kemi bum tendencash, por një analizë matematike dhe pragmatiste të tregut, duke shqyrtuar kërkesën dhe ofertën”, ka deklaruar Malaj.
Këtë vit të rinjtë mund të vijojnë studime dyvjecare, për t’u specializuar më tepër në një profesion. Kreditet e dy viteve njihen nëse ata duan të vijojnë studimet e mëtejshme.
“Nuk arrin të marrë mjekësinë, por ka aq pikë sa të bëjë laborantin. Pas studimit 2 vjecar, nëse arrihen rezultate shumë të mira plotësohen kriteret dhe ai mund të vazhdojë sistemin 3 vjecar dhe më pas masterin profesional”, ka saktësuar Malaj.
Duke iu referuar provimit të maturës, ku në disa shkolla të vendit u verifikua se nxënësit kishin kopjuar tezën në mënyrë të organizuar, ministria ka parashikuar marrjen e masave ndaj të paktën 20 mësuesve.
Top Channel