Kërkohej nga Policia e Elbasanit për veprën penale të “mashtrimit”, kapet pas tre muajsh kërkimesh një 57-vjeçar nga Fushë-Kruja.
Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se dje është bërë ndalimi i Haki Abazit, si i kërkuar pas një vendimi të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan një vit më parë.
Të njëjtat burime saktësojnë se 57-vjeçari ishte dënuar me gjashtë vjet burg në mungesë nga togat e zeza elbasanase një vit më parë, ndërsa ndalimi i tij është bërë dje, rreth orës 10 të paradites, në vendin e quajtur “Ura e Lizës” në Elbasan.
Ky shtetas, në kohë të ndryshme, ka mashtruar disa shtetas, duke i marrë para dhe sende të ndryshme me vlerë, në premtim të nxjerrjes së vizave për në Itali.
Policia e Elbasanit kishte rreth tre muaj që e kishte shpallur në kërkim pasi çështja kishte kaluar në të gjitha hallkat e gjyqësorit.
Në bashkëpunim me policinë e Krujës, blutë e Elbasanit kanë mundur të ndalojnë 57-vjeçarin, i cili udhëtonte në një furgon pasagjerësh drejt qytetit të Korçës.
Top Channel