Bie kreditimi për ekonominë

02/08/2010 15:25

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se në muajin qershor kredia për ekonominë jo vetëm që nuk u rrit, por pati një rënie të lehtë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit kredia totale për ekonominë ishte 457.6 miliardë lekë, ose 200 milionë lekë më pak se një muaj më parë.

Krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, kredia është rritur për gjysmën e parë të vitit në total me vetëm 3.8 për qind.

Këto të dhëna janë publikuar në fillim të kësaj jave, ndërsa situata është komentuar më parë edhe nga guvernatori i BSH.

“Investimet private vlerësohen në rënie në pjesën e parë të vitit, por janë më të mëdha se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kurse kushtet e shtrënguara të aplikuara nga bankat kanë dekurajuar kërkesën për kredi”, ka deklaruar Fullani.

Ata të cilët e kanë më të vështirë të marrin një kredi në bankë janë individët. Bankat që prej më shumë se një viti thuajse e kanë stopuar fare kredinë për individët.

Sipas të dhënave, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, kredia për individët është rritur me vetëm 0.6 për qind, një tregues ky që, sipas vetë bankës dëshmon për rënie të konsumit në ekonomi.

Studime të Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitet e fundit kredia ka qenë një nga nxitësit kryesorë të ekonomisë duke kontribuar mesatarisht me 1.5 për qind në normën vjetore të rritjes ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA