11 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e dy aksidenteve rrugore që ndodhen të dielën, një aksin kombëtar Fier-Vlorë dhe tjetri në aksin Elbasan-Peqin.
Dy automjete tip Mercedes Benz, njëra me targa të Vlorës dhe tjetra me targa të Fierit janë përplasur në afërsi të fshatit Ferras, rreth orës 04:30 minuta.
Një çift bashkëshortësh, Trifon dhe Marigo Nushi, përkatësisht 70 dhe 67 vjeçe dhe drejtuesi i mjetit me targa të Vlorës kanë marrë plagë të rënda.
Gjitthashtu edhe tre shtetasit, mes tyre edhe një 16 vjeçare, që udhëtonin me mjetin me targa të Fierit janë plagosur rëndë.
Gjashtë të plagosurit janë dërguar me urgjencë për të marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin rajonal të Fierit.
Ndonëse në gjendje të rëndë, 6 të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje, shkak për këtë aksident me pasojë plagosjen e 6 personave ishte përgjumja e drejtuesit të mjetit me targa të Vlorës.
Aksidenti tjetër ndodhi në aksin rrugor Elbasan-Peqin ku pas përplasjes se dy mjeteve me njëra-tjetrën u plagosën 5 persona.
Një Mercedes i drejtuar nga shtetasi Arben Gjevori 35 vjeç ka hyrë në parakalim të gabuar dhe si pasojë është përplasur me një mjet tip Skoda.
Si rezultat janë dëmtuar të 5 personat që ndodheshin në të dyja automjetet e përfshira në aksident.
Të dëmtuarëve u është dhënë një ndihmë mjekësore e menjëhershme.
Ata janë dërguar në spitalin rajonal të Elbasanit ku ndodhen ende nën terapi mjekësore.
Policia pasi ka bërë edhe ekspertizën e vendit të ngjarjes vendosi të arrestojë drejtuesin e Mercedesit, Arben Gjevori, nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasoja të rënda për shëndetin.
Top Channel