Administratori i një blloku pallatesh ka ndërmarrë mënyrën me brutale për të penalizuar banorët që nuk paguan detyrimet mujore prej 700 lekësh për mirëmbajtjen e godinave.
Të paktën 50 familje kanë prej disa ditësh pa ujë pasi rrjeti është mbyllur nga administratori i bllokut, si formë presioni për t’i detyruar banorët që nuk kanë paguar të plotësojnë detyrimin.
Në bllokun e pallateve të reja në rrugën e qelqit në zonën e kombinatit në Tiranë disa familje që jetojnë me qera nuk pranojnë të paguajnë tarifën mujore të shërbimit të shkallëve.
Duke shkelur të gjitha ligjet në fuqi të administrimit të ndërtesave të banimit i ka prerë ujin dy pallateve. Banoret edhe pse paguajnë ujin rregullisht, e mbushin atë nëpër bare, apo lavazhe makinash.
Ndëshkimet kolektive ndaj banorëve deri tani ishin demonstruar nga KESH-i, në rastet kur një pjesë e banorëve nuk paguante energjinë. Por në rastin konkret ndërprerja e furnizimit me ujë nuk është bërë nga autoritetet e ujësjellësit, por nga administratori i pallateve, një veprim ky i kundraligjshëm.
Jetesa në komunitet normohet tashmë me ligj, ku parashikohen edhe detyrimet e përbashkëta për mirëmbajtjen e godinave, por në shumë pallate administratorët përballen me banorë që refuzojnë të paguajnë, duke prodhuar situata edhe si ajo e banoreve të këtij blloku.
Top Channel