Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kërkuar ish-aleatëve të saj, Partise Socialiste që kryeson opozitën, të lënë menjanë politikën e gënjeshtrave që kanë si qëllim përhapjen e panikut nëpërmjet deklaratave për përkeqësim të situatës ekonomike në vend.
Sipas LSI-së kjo vijë e paprinciptë e ndjekur nga socialistët cënon në rradhë të parë sigurinë dhe mirëqënien e shqiptareve.
“Në vend që Partia Socialiste si shumë opozita të përgjegjëshme në vende të tjera të bashkëpunojnë në mënyre konstruktive për të përmirësuar më tej situatën ekonomike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, përkundrazi ndjek një politikë destruktive, bllokuese dhe tejet të rrezikshme për stabilitetin ekonomik të vendit. Pavarësisht veshtirësive, imponuara nga rrethanat globale Shqipëria ka treguar qendrueshmëri dhe stabilitet ekonomik ku sigurisht që pritet progres i vazhdueshëm”, deklaroi sekratari për marrëdhëniet me publikun i LSI-së, Ardit Çela.
Duke i kërkuar PS të heqë dorë nga këto sulme të rreme , LSI theksoi se paraqitja e alternativave konstruktive për qeverisjen është e vetmja mënyrë për t’i dhënë një dimension real rolit të opozitës në zhvillimin e vendit.
Reagimi i LSI-së vjen pas një sërë deklarimesh publike të përfaqësuesve të opozitës mbi krizen ekonomike në vend.
Top Channel