Naco: Vendi ka stabilitet politik e ekonomik

29/07/2010 21:35

Deputeti i LSI-së, Nasip Naco ka bërë një përmbledhje të rezultateve të qeverisë dhe ka komentuar aleancën me Partinë Demokratike.

“Pranuam të bënim koalicion me PD-në për të patur një stabilitet ekonomik, politik dhe per t’i shërbyer zhvillimit të vendit. Javët e para të shtatorit opozita nuk zuri vendin në parlament por u mor me zgjedhjet e saj të brendshme dhe lidershipi i saj u gjend në nje rezultat që nuk e priste. Juristët më të mirë që PS ka thoshin se tavolina e numërimit të votave ishte e vogël dhe u manipuluan zgjedhjet”, deklaron Naco.

Sipas nënkryetarit të parlamentit, vendi ka stabilitet ekonomik dhe duke u krahasuar me vendet e rajonit jane rritur pagat dhe pensionet. “Ka stabilitet politik sepse ka qeverisje te vendit. Vendi i opozitës është në parlament, sindikatat dalin në rrugë. Po të shikojmë lidershipin e PS, ai i udhëhoqi në formën e një sindikate simpatizantët e vet”, shtoi deputeti i LSI-së.

Në vijim ai bëri një rezyme të punës së këtij parlamenti deri tani. “Nga shtatori deri në qershor janë miratuar 1168 ligje nga kjo maxhorancë. Miratimi i ligjeve është 168 me 167. Ka pasur 6 interpelanca këtë vit dhe nuk ka pasur asnjë në 2008-2009. Këto janë shifrat dhe puna që ka bërë ky parlament deri tani”, nënvizoi Naco.

Top Channel