
Të gjithë shqiptarët që janë dënuar nga gjykatat belge për kryerje të veprave penale në këtë territor, do të kthehen për të vuajtur dënimin në Shqipëri. Kjo falë marrëveshjes së firmosur sot mes kryeministrit Sali Berisha dhe atij belg Yves Leterme.
Bëhet fjalë për 93 të burgosur shqiptarë që i kushtojnë afro 34 milionë euro çdo vit buxhetit belg, ndërkohë që për Shqipërinë nuk rezulton asnjë shtetas belg i dënuar deri tani.
“Dihet që Belgjika vuan për vende në burgjet e saj, ndaj gjykoj se kriminelët e huaj duhet ta vuajnë dënimin e tyre në vendet e origjinës dhe jam i lumtur që e mbyllëm këtë marrëveshje pas 4 muaj negociatash. Është një nga masat që na mundëson të lirojmë hapësirat në burgjet tona. Firmosja e traktatit të tillë si ky që sapo mbyllëm është një nga instrumentet për të luftuar në mënyrë efikase kriminelët shqiptarë që janë aktivë në Bruksel e Belgjikë, të cilët tashmë do jenë në dijeni se dënimin e tyre do ta kryejnë në burgjet shqiptare”, tha pas firmosjes së marrëveshjes kryeministri belg, Yves Leterme.
Çdo vit raportet e progresit të Komisionit Europian bëjnë thirrje për respektim të kushteve dhe të drejtave të të burgosurëve në Shqipëri, por kjo nuk është thelbësore për belgët.
“Tashme Komisioni do të përgatisë një raport në nentor e ne do ta lexojmë me shumë kujdes, por kjo marrëveshje që firmosëm do të zbatohet. Nga 93, 35 veta do të transferohen direkt me shpejtësi drejt vendit të tyre dhe ajo që është e rëndësishme është se ne nuk u marrim fare mendimin këtyre personave, por është detyrim që me t’u marrë vendimi bëhet transferimi, e këtë vendim ne mund ta marrim këto javë”, tha më tej kryeministri belg.
I pyetur nëse me këtë marrëveshje Shqipëria po paguante mbështetjen e Belgjikës, kryeministri
Berisha tha se ishte rastësi që përkoi gjatë presidencës belge të Unionit.
“Është tërësisht konçidencë, kjo është e vërteta, dhe marrëveshje të tjera do të firmosim me këtë shtet me të cilin kemi një kuader nga më të kompletuarit për bashkëpunimin dhe ne po negociojmë këtë dhe me shtetet e tjera”, u përgjij kryeministri Berisha.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje në nivel kryeministrash, dhe jo nga ambasadori, apo Ministri i Drejtësisë, dëshmon interesin e palës belge për një çështje sensitive që përmendet veçanërisht çdo prag zgjedhjesh.
Gjate vizitës së tij njëditore, kryeministri Berisha ka përfaqësuar dhe kryetaren e Kuvendit e kryebashkiakun e Tiranës pasi vizitoi si senatin belg dhe Bashkinë e Brukselit.
Top Channel