Apeli, arrest shtëpie italianit Gigante

29/07/2010 14:45

Gjykata e Apelit la në arrest shtëpie për 40 ditë, deri sa të ekstradohet drejt Belgjikës, biznesmenin italian Italo Gigante, i kërkuar prej tre vjetësh për atë që u konsiderua si skandali me ndërtimin e godinës së Këshillit të Evropës në lagjen Laprakë të Tiranës.

Por, ndërsa tre bashkëkombas të 57 vjecarit, njëkohësisht edhe zyrtarë të KE u arrestuan në Bruksel për afera korruptive mbi procedurat që ishin ndjekur për rindërtimin e marrjen me qera të selisë së KiE në Shqipëri, Italo Gigante gjatë kësaj kohe i shpëtoi arrestimit.

Para Gjykatës së Apelit 57 vjecari deklaroi se e kishte vuajtur këtë histori dhe se nuk i ishte fshehur drejtësisë.

Ndërsa avokati i tij mbrojtës Ardian Visha e mbrojti të pandehurin me argumentin se arrestimi i 57 vjecarit si person i kërkuar nga autoritetet belge nuk duhej të bëhej nga agjentë të Interpol-it por të Europol-it dhe se klienti i tij nuk është i kërkuar në atdheun e tij, c’ka vërteton sipas avokatit, se Gigante nuk ka jetuar në fshehtësi.

57 vjecari nga Ruoti i Italisë u prangos duke hyrë në Rinas si person i shpallur në kërkim në 31 korrik 2007 nga gjykata e Brukselit dhe nga Interpol-i i këtij vendi. Ai akuzohet për korrupsion, falsifikim dhe përdorim të dokumentave të vjedhura.

Derisa të përfundojnë procedurat për ekstradimin e tij në Belgjikë, ku dhe po zhvillohet një proces gjyqësor, Italo Gigante do të ruhet për 40 ditë në banesën e tij në Tiranë nga policia e kryeqytetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA