Reforma zgjedhore, të vegjëlit kërkojnë ndryshime

27/07/2010 15:15

Ish-kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume mendon se duhet bërë një reformë tjetër zgjedhore dhe duhet bërë shpejt.

Por tryeza e rrumbullakët duket se i vjen më shumë përshtat partive të vogla. Ajo nxjerr në pah aleancat e dikurshme. “Besoj e mbani mend zoti Meta se si kemi qenë bashkë në një llogore kur ishim kundër Kodit Zgjedhor dhe ndryshimeve kushtetuese që dhanë zgjedhjet e kontestuara të 28 qershorit’’, tha Paskal Milo.

Por që prej këtyre zgjedhjeve, LSI luan në fushën e të mëdhenjeve. Të qenit në qeveri, e bën Ilir Metën të jetë më i kujdesshëm. ‘’Ne si LSI jemi të kënaqur nga kodi aktual që zgjidh cështjen e administrimit’’, deklaroi Meta. Ai shton se LSI mbetet e hapur për cdo ndryshim. Demokrati Enkelejd Alibeaj, që ka dalë deputet nga qarku i Fierit, ku numërimi i votave u shndërrua në një betejë të vërtetë politike, flet për mekanizma besimi. “Cdo inovacion që do të rrisë besimin jo vetëm nga aktorët por sidomos nga shoqëria’’, pohon ai.

Nikollë Lesi, kryetar i një partie të vogël, por në koalicion qeverisës, propozon ndryshimin edhe te Kodit Penal, për të dënuar me 10 vjet burg ata komisionerë që rezultojne pergjegjes ne manipulimin e rezultatit apo fleteve te votimit. Organizatat e shoqërisë civile të grupuara në të ashtuquajturin Aksion Qytetar për reformën zgjedhore, hedhin disa propozime konkrete. Bie në sy e drejta e partive për të zgjedhur gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor.

Sot Kolegji Zgjedhor ku ankimohen vendimet e KQZ-së, caktohet me short dhe 4 partitë më të mëdha parlamentare kanë të drejtë të kundërshtojnë secila vetëm një gjyqtar të vetëm një herë. Aksioni qytetar propozon gjithashtu që partive t’u ndalohet të ndërrojnë në mënyrë arbitrare komisionerët e tyre.

Top Channel