
Pacientët me sëmundje të vështira, me ilaçe të shtrenjta për trajtim janë nën vëmendjen prioritare të strukturave shëndetësore.
Një shkresë e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, lidhur me marrjen në shqyrtim të fondeve për fëmijët e sëmurë me hemofili aktualisht ndodhet në prioritet të diskutimeve mes specialistëve të gjakut dhe specialistëve të financës.
Është kërkuar shkurtim i fondeve me rreth 20 për qind për të sëmurët që trajtohen në pavijonin e specialistëve në spitalin “Nënë Tereza”.
Sipas përgjegjësve dhe grupeve të interesit lidhur me çështjet e sëmundjeve të gjakut, si mjekëve ashtu edhe shoqatës së hemofilikëve, çdo lloj reduktimi do të ishte në disfavor të pacientëve.
Megjithatë, çështja ndodhet ende në fazë diskutimi dhe shqyrtimi. Ndërsa për financat dhe një pjesë të “llogaritarëve” që aktualisht qëndrojnë me laps dhe letër në dorë, reduktimet tashmë janë një çështje e nevojshme për buxhetin e shtetit.
Por, nga ana tjetër, drejtoria spitalore ka sqaruar se reduktimi duhet të jetë në “zërin” e investimeve dhe nuk mendohet se do të prekë “zërin” e barnave dhe blerjeve të materialeve spitalore.
Top Channel