Banka Qëndrore, pritet ulja e interesit

27/07/2010 15:05

Banka e Shqipërisë pritet të marrë vendimin për uljen e normës bazë të interesit. Burime per Top Channel thanë se interesi do te zbresë në 5 përqind.

Ky do te jete niveli me i ulet i 10 viteve te fundit, pervac marsit te vitit 2005. Ky vendim merret per te stimuluar ekonomine dhe per te ulur sadopak koston e borxhit te qeverise. Ulja e normës synon të ulë koston e parësore në ekonomi duke shpresuar rënien e interesave për kreditë në lekë që bankat japin për biznesin dhe individët.

Nga ana tjetër kjo masë është një sinjal edhe për të nxitur rritjen e kreditimit, i cili është në nivelet më të ulëta të viteve të fundit. Vendimi i bankës synon gjithashtu që të ulë sadopak edhe koston e borxhit të qeverisë, i cili në pjesën më të madhe është në lekë dhe me afat më të shkurtër se sa një vit. Ndaj interesat e borxhit të qeverisë ndikohen jo pak nga politika monetare që ndjek Banka Qëndrore.

Pak kohë më parë ministri i Financave kishte kërkuar publikisht uljen e normës bazë. Por banka e kushtëzoi uljen e normës me tërheqjen e qeverisë nga huamarrja e lartë në tregun e brendshëm dhe uljen e shpenzimeve, sinjal të cilin qeveria e dha me rishikimin e buxhetit. Ekspertët e bankës gjykojnë se tashmë janë pjekur kushtet për të lehtësuar sërish politikën monetare, pasi inflacioni është nën kontroll dhe në treg është rritur oferta e valutës, cka shmang rreziqet për goditje në kursin e këmbimit.

Top Channel