Të hënën, notat e 3 mijë maturantëve

23/07/2010 08:35

Ankthi i maturantëve që nuk gjejnë ende emrat në listat e rezultateve të provimeve me zgjedhje do të përfundojë ditën e hënë.

Më datë 26 korrik pritet që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të publikojë notat e 3000 maturantëve që nuk dinë ende sesi janë vlerësuar në tezat me zgjedhje.

Nxënësit e “përjashtuar” më në fund do të ndihen të qetë, pasi burime nga MASH bëjnë të ditur se javën e ardhshme do të publikohen notat e të gjithëve.

Shkaqet që krijuan këtë avari nuk dihen ende, por pretendohet që arsyet e sakta të bëhen publike ditën kur nxënësit do t’i kenë përpara syve notat e tyre.

Rezultatet e provimeve me zgjedhje u bënë publike 7 ditë më parë, e megjithatë ka edhe nga ata maturantë që nuk e dinë ende notën me të cilën janë vlerësuar.

Afishimi i listave të notave është bërë në ambientet e shkollave të mesme, por kjo praktikë pune nuk ka funksionuar njësoj për të gjitha gjimnazet, pasi ka edhe nga ato shkolla që nuk i kanë ende rezultatet e nxënësve të tyre.

Ekzistojnë disa raste që pohojnë se emrat e tyre nuk gjenden në listat e afishuara në shkolla. Maturantët janë tejet të shqetësuar dhe u janë drejtuar instancave përkatëse për të marrë një informacion të saktë në lidhje me këtë situatë.

Nxënësit që nuk kanë mësuar ende notën e lëndëve me zgjedhje, thonë se ankthi i tyre do të përfundojë vetëm ditën kur situata në të cilën ata ndodhen do të marrë një zgjidhje përfundimtare.

Top Channel