Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka përshëndetur vendimin e GJND-së që vlerësoi si të drejtë shpalljen e pavarësisë.

Në një deklaratë për shtyp të mbajtur para pak castesh, Sejdiu ka deklaruar se tani Kosova do të dalë me një qasje të re për të bashkëpunuar me Serbinë.

“Kosova ishte e bindur për të drejtën e saj. Tani ne do të dalim me një qasje të re për të bashkëpunuar me Serbinë. Shpresojmë që presidenti Tadic të heqë dorë nga qëndrimet e tij”, ka pohuar Sejdiu.

Kreu i shtetit kosovar ka shtuar më tej se vendimi i gjykatës së Hagës i kontribuon paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaci ka dhënë vlerësimet maksimale për vendimin e GJND-së mbi pavarësinë.

Duke folur nga Shtetet e Bashkuara, Thaci është shprehur se tani të gjitha vendet duhet ta njohin Kosovën.

“Është opinioni më i drejtë. Tani të gjitha vendet duhet ta njohin Kosovën pasi shpallja e pavarësisë është në përputhje me vullnetin e popullit kosovar dhe është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Është një vendim i shkëlqyer që ka hapur për Kosovën rrugën drejt BE-së dhe OKB-së”, ka deklaruar Thaci.

Top Channel