Rama: Vendimi i GJND-së, historik

22/07/2010 17:50

Kryetari i PS Edi Rama ka përshëndetur vendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës, duke deklaruar se ai hap rrugën për njohje të reja.

“Sot është dita e dytë më e bukur për Kosovën dhe Shqipërinë pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt. Sot GJND shpalli një vendim që i hap rrugë njohjes së mëtejshme të Kosovës”, ka pohuar Rama.

Lideri i opozitës ka theksuar se organi më i lartë gjyqësor në botë u dha sot fund dilemave mbi legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

“Të gjithë kemi qenë të bindur se shpallja e pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe GJND e sanksionoi sot këtë bindje. Në emër të opozitë shqiptare shpreh kënaqësinë për vendimin e dhënë sot nga GJND”, është shprehur Rama.

Duke nënvizuar se vendimi i gjykatës u jep fund ëndrrave territoriale të Serbisë, Rama ka ftuar këtë vend që t’i bashkohet perspektivës evropiane të rajonit.

“Uroj që ky vendim të ndihmojë edhe Serbinë për të dalë nga ëndrrat territoriale, që ky vendim i zhbën tërësisht. E ardhmja jonë është në rrugën europiane. Të gjithë së bashku drejt bashkëpunimit dhe bashkëjetesës pa kufij”, ka shtuar Rama.

Top Channel