Ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni ka deklaruar se vendimi i sotëm i GJND-së përforcon pozitën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

“Sot është një ditë e madhe për Kosovën dhe rajonin. GJND ishte e qartë dhe eksplicite në vendimin këshilldhënës, që thotë qartë se shpallja e pavarësisë nuk shkel asnjë të drejtë ndërkombëtare”, ka pohuar Hyseni në një intervistë për Top Channel.

Sipas tij, tani Kosovën e presin njohje të reja, pasi vendimi i GJND-së ka rrëzuar cdo dilemë tek ato vende që prisnin opinionin.

“Pas një deklarimi kaq të qartë presim që të ketë një valë njohjesh, pasi janë hequr të gjitha dilemat dhe pengesat tek ato vende që deri tani kanë hezituar”, është shprehur Hyseni.

Ai ka shtuar se me këtë vendim Kosova shpreson në një afrim më të shpejtë me BE-në, që do të nisë me heqjen e vizave dhe më pas me OKB-në.

Top Channel