HIV/AIDS, rritet numri i personave me trajtim

22/07/2010 08:00

Numri i personave që po kurohen ndaj sëmundjes vdekjeprurëse AIDS po vjen çdo ditë e në rritje. Fatkeqësisht numri i personave që vuajnë nga kjo sëmundje është i lartë, por e rëndësishme që ndërgjegjësimi për t’u kuruar dhe për ta luftuar atë është rritur ndjeshëm.

Këtë e vërteton më së miri numri i vizitave mjekësore që bëjnë personat e prekur. Personat e sëmurë nga AIDS po i nënshtrohen në mënyrë të vazhdueshme përkujdesjes mjekësore, duke shpresuar në kurimin përfundimtar.

Por ka edhe nga ata që janë më realistë dhe që synojnë vetëm t’i shtohen sa më shumë të jetë e mundur vitet e jetës. Ky fakt ka dalë si rezultat i të dhënave më të fundit të OBSH-së të paraqitura në një konferencë ndërkombëtare. Një nga konkluzionet e arritura nga ky sondazh është se numri i njerëzve që i janë nënshtruar kujdesit mjekësor në fund të vitit 2009 është rritur. Shifra konkrete arrin në 5.2 milionë në krahasim me 4 milionë që regjistroheshin në fund të vitit 2008.

“Kapja në kohë e kësaj sëmundjeje dhe kurimi që në hapat e parë të shfaqjes së këtij virusi bën të mundur që jeta e personave të infektuar të jetë disi më e mirë”, tha Gottfried Hirnschall, drejtori i OBSH së HIV/AIDS. Sipas statistikave aktuale, parashikohet se mesatarja e vdekjeve për vitin 2010-2015 mund të ulet me 20 për qind.

Top Channel