Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vlerësuar si plotësisht të ligjshme shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

Gjatë fjalës së tij, presidenti i gjykatës Hisashi Owada ka deklaruar se e drejta ndërkombëtare nuk pengon shpalljen e pavarësisë nga një vend që ka qenë i nënshtruar nga regjimi i një vendi tjetër.

“Gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk pengon shpalljen e pavarësisë. Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare të përgjithshme”, ka deklaruar presidenti.

Para dhënies së vendimit përfundimtar ai është shprehur se popullsia e Kosovës ka të drejtë të krijojë një shtet të pavarur për vetëvendosje.

Presidenti ka theksuar gjithashtu se OKB mbështet plotësisht parimin e integritetit territorial, por ka nënvizuar se ky parim është i kufizuar në bazë të raporteve mes shteteve.

Ai ka shtuar më tej se pavarësinë nuk e pengon as rezoluta 1244, e cila kishte si qëllim të merrej më situatën që ishte në Kosovë.

“Konkludojmë se rezoluta 1244 përcakton një qëndrim të përkohshëm të ndërkombëtarëve. Ajo e kishte mandatuar UNMIK-un që të lehtësonte procesin e zgjidhjes së cështjes së Kosovës”, ka shtuar presidenti.

Legjitimiteti i pavarësisë mori nga trupi gjykues 10 vota pro dhe 4 kundër. I njëjti trup vendosi gjithashtu se shpallja e pavarësisë nuk ka shkelur as kornizën kushtetuese.

Top Channel