Bie euro, zhvlerësohet në bursa

22/07/2010 15:55

Euro po zhvlerësohet ndaj Lekut duke arritur drejt pikes me te ulet qe prej fillimit te vitit. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë euro kutohet aktualisht në tregun e brendshëm mesatarisht me 134.9 lekë.

Krahasuar me muajin mars euro kushton tashmë në treg rreth 4.5 lekë më pak, ndërsa vetëm gjatë këtij muaji euro është zhvlerësuar me 2.5 lekë.

Ekspertët e bankave dhe agjencitë valutore rendisin disa shkaqe për këtë forcim të lekut ndaj Euros, që kanë të bejne se me faktorë të jashtëm ashtu edhe zhvillime në ekonominë vendase.

Në tregjet ndërkombëtare euro ka humbur pikë thuajse ndaj të gjitha monedhave kryesore gjatë këtyre muajve të fundit, për shkak të problemeve që po kalojnë disa vende të eurozonës me financat publike. Një tjetër faktor që ka krijuar ankth tek investitorët është publikimi i pritshëm i analizave e rrezikut për rreth 90 Banka Europiane, cka do të nxjerrë në pah më shumë informacion për gjendjen e tyre financiare.

Këto ishin shkaqet e jashtme. Por forcimi i Lekut ndaj euros sipas ekspertëve lidhet edhe me kthimin e emrigrantëve të cilët rrisin ofertën e Euros në treg.

Nga ana tjetër edhe kërkesa për valutë nuk është e lartë, pasi ndryshe nga viti i kaluar, investimet në valutë të qeverisë kanë shënuar një rënie të fortë, cka bën që kërkesa për euro të jetë më e ulët.

Top Channel