Shëndetësi, dështojnë tre tenderat e ilaçeve

21/07/2010 08:00

Dështojnë tre tenderë, të gjitha këto blerje të mëdha për sasi të konsiderueshme ilaçesh, në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”.

Po ashtu, një tjetër tender është anuluar pranë kësaj drejtorie. Bëhet fjalë për riparimin e automjeteve, për të cilat në procedurat fillestare nuk është paraqitur asnjë i interesuar. Kjo konfirmohet në buletinin e datës 19 korrik të Autoritetit të Prokurimit Publik.

“Mbështetur në ligjin “Për Prokurimin Publik”, ju dërgojmë njoftimin për Vendimin e Anulimit të procedurës së prokurimit – kërkesë për propozime (me mjete elektronike), me objekt “Riparim automjetesh” për qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”. Ky tender është anuluar për mungesë konkurrence, pasi nuk u paraqit asnjë ofertë. Mbështetur në ligj ju dërgojmë njoftimin për vendimin e anulimit të procedurës së prokurimit”, sqaron zyrtarisht APP-ja.


Kirurgjia vaskulare

Agjencia e Prokurimit Publik ka dërguar njoftim për anulimin e procedurës së prokurimit – kërkesë për propozime (me mjete elektronike), me objekt “Barna për Kirurgjinë Vaskulare” për nevojat e qendrës spitalore universitare “Nene Tereza” Tiranë, me fond limit 1 milion lekë pa TVSH, të zhvilluar në datë 07.07.2010. Sipas APP-së, kjo procedurë prokurimi është anuluar për shkak të mungesës së konkurrencës në tender, pasi nuk u paraqit asnjë ofertë.

Barnat

“Ju njoftojmë anulimin e procedurës së prokurimit “Kërkesë për propozim, me objekt: “Anti-Infektive të përgjithshëm
dhe faktorët e koagulimit të gjakut” dhe fond limit 1763571 lekë”, është një tjetër njoftim i Agjencisë së Prokurimit Publik. Ndërkohë, një tjetër tender është anuluar. Shkaku ka qenë paraqitja e vetëm një firme në procedura. Për tenderin “Blerje medikamente”, i ndarë në lote, me fond limit mbi 47 milionë lekë, të shpallur në buletinin e njoftimeve publike të datës 14.06.2010, duke qenë se për secilin lot është paraqitur vetëm një ofertë, për shkak të mungesës së konkurrencës procedurat shpallen të anuluara.

Sakaq, investimi për vitin 2010 për sektorin e shëndetësisë ishte miratuar në shumën prej 5 miliardë e 476 milionë lekë. Krahasuar me 2009-n, investimet patën një rritje prej 52 për qind. Për sa i përket burimit të financimit për vitin 2010, ndarja e tyre ishte: investime të brendshme 4 miliardë e 301 milionë lekë, investime të huaja 1 miliard e 175 milionë lekë. Në një shkresë zyrtare, Ministria e Shëndetësisë i sqaron financave se çfarë ka bërë lidhur me kërkesën për pakësimin e buxhetit. Jemi të detyruar të ndërpresim të gjitha procedurat e prokurimeve që nuk ishin finalizuar me lidhjen e kontratës. Kemi ruajtur në një masë 70-80 për qind të nevojave për kosto lokale të objekteve me financim të huaj. Kemi ulur në kufij të papërfillshëm fondet për disa objekte ndërtimi. Kemi marrë në konsideratë edhe shpenzimet e kryera për llogari të kontratave të lidhura”, sqarojnë ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA