Kukës, një rast i ri me ethe hemorragjike

21/07/2010 08:10

Dy javë pas daljes së pacientit të fundit nga infektivi i spitalit të Kukësit, ku ishte shtruar për t’u trajtuar nga ethet hemorragjike, u mendua se kjo sëmundje tashmë u tejkalua.

Për këtë, edhe Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik kishte ndërmarrë masa të forta, duke spërkatur me helm të gjitha vatrat e mundshme të infeksionit. Por dje pasdite, në repartin e infektivit të spitalit të Kukësit ka pasur një tjetër rast me ethe.

Ka qenë një 14-vjeçar nga Rrethi i Hasit, i cili pas analizave të kryera në Kukës ka rezultuar i prekur nga ethet hemorragjike. Mjekët thanë se ky rast është kapur në kohë dhe nuk paraqet rrezik për jetën e adoleshentit, por tregon ndër të tjera se ka ende vatra potenciale të përhapjes së etheve hemorragjike.

14-vjeçari nga Hasi ishte pickuar nga rriqna, një insekt i njohur si përhapës i sëmundjes, krahas ndonjë insekti tjetër apo brejtësi si miu i bardhë. Infektimi me virusin e etheve shkakton fillimisht temperaturë, dhimbje të muskujve, plogështi dhe humbje të fuqisë, hemorragji nga veshët dhe hemorragji të brendshme. Pacienti i djeshëm e çon në 15 numrin e personave të infektuar nga ethet gjatë dy muajve të fundit në rajonin e Kukësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA