
Shtyhet miratimi i masterplanit për qendrën e qytetit të Korçës. Projekti është prezantuar për diskutim dhe shqyrtim në KRRT-në e bashkisë, për t’u hapur rrugë diskutimeve dhe vërejtjeve që vijnë nga ana e specialistëve lidhur me projektin që është fituar nga një studio e huaj.
Projekti i Bashkisë së Korçës, pasi ka kaluar një kohë relativisht të gjatë të përgatitjes së tij, shqyrtimit dhe diskutimeve me palë të interesuara, së fundmi është prezantuar për miratim edhe në KRRT-në e bashkisë. Me kërkesë të anëtarëve të kësaj KRRT-je u la që në takimin e radhës të diskutohen vërejtjet përfundimtare të këtij masterplani dhe votimi i tij të lihet për një afat të afërt.
Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, në cilësinë edhe të kryetarit të KRRT-së, që në fillim të takimit bëri një prezantim të shkurtër të masterplanit të qendrës së qytetit të Korçës. Ai tha se prezantimi në KRT i këtij masterplani vjen pas një pune të gjatë dhe profesionale, duke përzgjedhur si fituese një nga 12 studiot e huaja të projektimit që morën pjesë në konkurs. “Masterplani i qendrës së qytetit që ka përgatitur studioja gjermane ‘Boles Wilson’, ka arritur të ruajë trashëgiminë kulturore të qendrës së qytetit të Korçës, madje ta nxjerrë edhe më në pah atë. Ruajtja e trashëgimisë kulturore është harmonizuar me modernen, për t’i dhënë një frymë më bashkëkohore qytetit të Korçës”, tha Peleshi.
Ai theksoi se qendra e qytetit me këtë masterplan ruan karakteristikat e veta, arritjet mjedisore, si dhe zgjidh problemet e këmbësorëve me krijimin e zonave pedonale, kryesisht në bulevardin “Shën Gjergji”. Gjithashtu, sheshi para katedrales së qytetit të Korçës do të ketë një hapësirë dy herë më të madhe për këmbësorët, ndërsa do të shtohen hapësirat e gjelbra në lulishten “Vangjush Mio”, duke përfshirë edhe shkollën e mesme të përgjithshme “Themistokli Gërmenji”.
Prezantimi i masterplanit për qendrën e qytetit të Korçës, në mbledhjen e KRT-së së bashkisë nuk u votua, sepse nga disa anëtarë u kërkua që të diskutohen më parë vërejtjet përfundimtare mbi projektin dhe në prezantimin e tij të jenë të pranishëm përfaqësues të studios fituese për të dhënë sqarime lidhur me atë që parashikon ky masterplan.
Top Channel