Klasa politike kosovare, qeveri dhe opozitë, ka reaguar ndaj vendimit të Hagës për të kthyer në burg ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.

Zëdhënësi i Presidencës Xhavit Beqiri shprehu besimin se edhe apeli do të konfirmojë vendimin e pafajësisë të dhënë më parë nga gjykata e Hagës.

“Shpresojjmë që Haradinaj të bashkëpunojë me Hagën dhe të lehtësojë procesin ndaj tij. Jemi të bindur se ai do të shpallet i pafajshëm”, ka deklaruar Beqiri.

Edhe qeveria e Kosovës shprehu keqardhjen e saj për vendimin që ktheu në burg Haradinajn.

Përmes një komunikate për shtyp, qeveria shprehu besimin e saj tek drejtësia ndërkombëtare dhe u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë.

Edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi shprehu besimin e tij se, ashtu si gjykimi i parë i Haradinaj edhe ky gjykim do ta shpallë atë të pafajshëm.

Ndërsa AAK deklaroi përmes nënkryetarit Blerim Shala se, lajmi për rihapjen e pjesshme të gjykimit të Haradinajt është një lajm shumë i keq për partinë, për qytetarët dhe shtetin e Kosovës.

Top Channel