Akuzat, Meta mbështet Priftin

21/07/2010 20:25

Pas deklarimit të pasurisë të ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, socialistët e akuzojnë për pasurim të paligjshëm.

Kundërpërgjigjja janë akuzat për moral, që Dritan Prifti i bën liderit të opozitës. Por kësaj here, nga goja e zëvendësit të vet.

Në ministrinë e Ekonomisë, nga salla e konferencave për shtyp, ai pyet nëse zoti Rama ka konsumuar lëndë narkotike, për ta dhënë pastaj përgjigjen po vetë.

“Pse nuk i përgjigjet Rama pyetjes nëse ka konsumuar lëndë narkotike? Rama ka konsumuar lëndë narkotike, ka konsumuar kokainë”, deklaroi zëvendësministri i Ekonomise, Leonard Beqiri.

I kthyer nga një vizitë në Afganistan, kryetari i LSI-së, ministri i Jashtëm Ilir Meta mohon të ketë gisht në këtë debat. “Dua t’ju siguroj se nuk kam gisht në këtë debat që e kam ndjekur nëpërmjet internetit dhe sms-ve”, tha ai.

Më pas, zoti Meta mori nën mbrojtje ministrin e tij, duke i cilësuar akuzat e Partisë Socialiste, si banale dhe denigruese.

“Zoti Prifti e sqaroi vetë që në detyrim të zgjidhjes së cdo konflikti interesi, ai i shiti aksionet e tij, që ishin të deklaruara që në kohën kur ai ishte në opozitë”, sqaroi Meta.

Po ashtu ministri Meta sqaroi edhe pozicionin e shtetasit që i bleu aksionet Dritan Priftit. Sipas socialistëve, ai është një person i afërt me ministrin e Shëndetësisë Petrit Vasili dhe drejton një kompani farmaceutike që merr pjesë në tenderat e shëndetësisë.

“Ky person merret me këtë aktivitet farmaceutik prej 15 vitesh. Në këtë kompani është një nga 3 bashkëpronarët. Dhe merret me këtë aktivitet shumë kohë përpara se Petrit Vasili të bëhej ministër i Shëndetësisë”, shtoi Meta.

Zoti Meta sqaroi edhe pozicionin e LSI në raport me Partinë Demokratike. LSI iu kundërvu publikisht PD në rastin e dekreteve të presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke votuar edhe ata kandidatë që u rrëzuan nga demokratët.

Dhe deklaroi se nuk do të votojë ndryshimet në ligjin për organizimin e SHISH-it, nëse nuk merret më parë pëlqimi i NATO-s. Zoti Meta tha se LSI nuk voton kunder PD-së, por ndjek politikën e vet parimore. Këtu, sipas tij, nuk ka vend për të folur për krizë të mazhorancës.

Por lidhur me cështjen e ministrit Prifti ka reaguar vetë Partia Socialiste, e cila ka deklaruar se Meta po mbron vartësin e tij për të mbuluar vjedhjen e 80 mijë votave më 28 qershorin e vitit të kaluar.

“Duke dëgjuar se si Ilir Meta e mbron Dritan Priftin, rishprehim keqardhje se si Ilir Meta trafikoi 80 mijë zemra socialiste për përftime të paligjshme në oborrin e Sali Berishës. Sikurse rishprehim keqardhje për zv/ministrin që justifikon 1.8 mln euro të ministrit Prifti, që shprehet si rrugac duke turpëruar shtetin”, ka deklaruar deputetja Olta Xhacka.

Top Channel