Emigrantët, 35% e popullsisë aktive

20/07/2010 08:50

Integrimi i shtetasve shqiptarë që kthehen në atdhe është fokusi i strategjisë kombëtare pesëvjeçare “Riintegrimi i shtetasve shqiptarë të kthyer në vend”.

Zv.ministri i Punës, Kastriot Sulka, sqaroi dje se strategjia ka në fokus të saj shtetasit shqiptarë të kthyer në kuadër të Marrëveshjes së Ripranimit KE-Shqipëri dhe marrëveshjeve dypalëshe të ripranimit që Shqipëria ka nënshkruar me vende të tjera, ose përmes formave të tjera të kthimit të detyruar dhe vullnetar.

Duke u ndalur në përmbajtjen e këtij dokumenti, Sulka vuri në dukje se, “politika që po ndiqet për shqiptarët e rikthyer ka qëllim sigurimin e një kthimi të qëndrueshëm për ta, përmes lehtësimit të procesit të riintegrimit, duke synuar minimizimin e kostove të migracionit, maksimizimin e përfitimit dhe nxitjen e kontributit të emigrantëve për zhvillimin ekonomik të vendit”.

Emigrantët shqiptarë sot në botë vlerësohet të përbëjnë rreth 27.5% të popullsisë së përgjithshme dhe 35% të popullsisë aktive.

Motivi i emigrimit në 99.99% të rasteve ka qenë për punësim. Pavarësisht formave të kthimit vullnetar apo të detyruar, të kthyerit mund të klasifikohen si investitorë të mundshëm, emigrantë të kualifikuar ose pa profesion pas kthimit.

Top Channel