BSH: Kriza greke “rrit” kreditë e pashlyera

20/07/2010 08:15

Niveli i kredive që nuk po u kthehen bankave ka pësuar rritje në vitin 2009, aq sa ka vënë në alarm strukturat mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë.

Në raportin e fundit të publikuar dje, BSH paralajmëron rrezikun grek mbi sistemin tonë financiar, konkretisht te kreditë e këqija, të cilat kanë kapërcyer kufirin 10 për qind të totalit, ose rreth 450 milionë dollarë, ku 350 milionë i referohet pjesës së biznesit.

Në raport BSH vë në dukje problemin serioz që lidhet me emigrantët shqiptarë në Greqi, problemet ekonomike të të cilëve do të ndikojnë te bankat tona.

“Vlerësojmë se cilësia e portofolit të kredive do të vijojë të përkeqësohet jo vetëm si rrjedhojë e faktorëve të brendshëm, por edhe si rrjedhojë e problemeve që mund të importohen nga zhvillimet në ekonominë greke, ku një pjesë e mirë e punonjësve në sferën e bujqësisë, por edhe të turizmit, janë emigrantë shqiptarë me kontribut të konsiderueshëm në nivelin e remitancave në Shqipëri”, thuhet në raportin e Mbikëqyrjes Bankare për vitin 2009.

Top Channel