
Mazhoranca dhe opozita janë përplasur fort në kuvend gjatë diskutimeve për ndryshimet e buxhetit. Fillimisht ministri i Financave shpjegoi arsyen e ndryshimeve. (UPDATE)
“Përgjysmimi i ritmeve të zhvilimit të ekonomisë e bën të domosdoshme që qeveria dhe Kuvendi të mund të riformulojnë një program politikash që të marrë në konsideratë këto zhvillime dhe të garantojë mbi këtë bazë mundësinë për një zhvillim real të ekonomisë”, thotë Bode.
Opozita akuzon se shkaku i vërtetë i krizës, janë monopolet e qeverisë dhe njerëzve prane saj.
Debate pati edhe mes socialistit Arben Malaj dhe ministrit te Financave Ridvan Bode per menyren e menaxhimit te borxhit publik.
Debate të forta ka patur edhe për financimet e huaja. Pak ditë më parë kryeministri deklaroi se deri në 2013 do të merren 3.2 miliardë euro kredi të buta, por Taulant Balla, duke ju referuar sipas tij dokumentave zyrtare e përgënjeshtron këtë shifër.
“Kontrata me BB-në e konfirmuar thotë se Shqiperia merr 50 mln euro; ne fondin e OPEC Shqiperia merr 30 mln dollare, ndërsa nga Banka e Zhvillimit Islamik 30 milione dollare”, thotë Balla.
Rishikimi i buxhetit ul shpenzimet e qeverisë me 39 miliardë lekë krahasuar me planin e fillimvitit ku gjysma e tyre vjen nga shkurtimi i investimeve publike.
Top Channel