
Filiali i OSSH-së në Fier bëri padi penale në prokurori për 25 abonentë të energjisë elektrike.
Bëhet fjalë për abonentë privatë dhe familjarë, banorë të qytetit. Padia ndaj tyre është ngritur si pasojë e gjetjes me lidhje të dyfishtë të energjisë elektrike. Objekt i padisë, përveç ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin furnizues, mësohet se është edhe cenimi i matësit të konsumit të energjisë elektrike. Lajmi bëhet i ditur nga koordinatorja e departamentit të sistemit të humbjes së energjisë pranë filialit të OSSH-së në Fier.
Sipas ekspertes, vetëm në muajin korrik, gjatë kontrolleve të ushtruara nga grupet e ngritura për konstatimin e lidhjeve të jashtëligjshme dhe cenimeve të rrjetit dhe të sahateve, janë kryer 2500 prerje të energjisë elektrike. Kjo për faktin se disa prej abonentëve kishin kryer lidhje të paligjshme, ndërsa të tjerë janë konstatuar se kishin cenuar sistemin e matjes. Kontrollet dhe sanksionet kundër abonentëve abuziv kanë si qëllim reduktimin e nivelit të humbjeve në rrjetin e furnizimit, që për Fierin shkon në më shumë se 27%.
“E gjithë puna e strukturës së sistemit të humbjes së energjisë është përqendruar te minimizimi i humbjeve teknike. Kjo ka bërë që ne të shtojmë kontrollet dhe të ndërhyjmë edhe në ato zona, të cilat më parë nuk kontrolloheshin. Janë ngritur disa grupe inspektorësh, që prej javësh kryejnë kontrolle të papritura. Vetëm në dy javët e para të muajit korrik, grupet e inspektimit kanë konstatuar 2500 shkelje. Ndaj këtyre abonentëve është marrë masa e ndërprerjes së energjisë elektrike. Abuzimet që kryejnë abonentët janë të shumta. Ato lidhen që nga mënyra e lidhjes, deri dhe te sistemi matës”, ka thënë Siena Bocova, koordinatore e departamentit të sistemit të humbjes në filialin e OSSH-së së Fierit.
Depozitimi i 25 padive të fundit është kryer të hënën e javës që sapo u mbyll dhe pritet që një numër tjetër i lartë abonentësh të ndëshkohen po me këtë sanksion të ashpër. Mësohet se vala e ndëshkimeve ka prekur edhe faturistët, për të cilët janë konstatuar shkelje dhe abuzime.
Top Channel