Higjiena nuk kap dot shitësit ambulantë

19/07/2010 08:15

Tregjet e hapura në Tirane dhe në veçanti shitësit ambulantë, që tregtojnë produkte “delikate”, në kushtet e temperaturave të larta mbeten problem shqetësues për konsumatorët, por edhe për inspektorët e Drejtorisë së Higjienës.

Fakti konfirmohet edhe nga Drejtori i Shëndetit Publik, Mhill Gecaj. Sipas tij, shitësit ambulantë, tregtarët që konsiderohen informalë, të cilët shesin produkte pa etiketa, pa adresë prodhimi dhe detaje të tjera të rëndësishme, nuk kanë leje higjieno-sanitare dhe veprimtaria e tyre është e paligjshme.

Inspektorët e Drejtorisë së Higjienës e kanë të pamundur që të kontrollojnë 24 orë në 24 tregjet informale, të cilët mund të jenë në rrugët kryesore të qendrës së qytetit, por edhe në cepat e lagjeve periferike të Tiranës. Sipas sektorit të higjienës, një pjesë e fajit i mbetet Bashkisë së Tiranës.

“Çdo subjekt, i cili do të kryejë një veprimtari tregtie, fillimisht i bëhet nga ana jonë ekspertiza higjieno-sanitare dhe më pas i jepen lejet përkatëse. Ndërkohë që tregjet që janë pa leje, është detyrë e bashkisë për të gjetur një zgjidhje”, tha Mhill Gecaj, drejtor i Shëndetit Publik. Nga ana e këtij sektori, krahas kontrolleve të përhershëm, janë marrë dhe masa penalizuese.

“Herë pas here nënshkruajmë procesverbale, janë vënë dhe gjobat përkatëse. Problemi nuk është te ne, por tek ata që i lejojnë këto tregje të funksionojnë në këtë lloj mënyre”, sqaron kreu i Higjienës. Në këtë sezon, nga Drejtoria e Shëndetit Publik janë kryer edhe kontrolle pranë subjekteve që tregtojnë produkte si akullore, byreqe, bulmete, pije alkoolike, produkte të vajit. Një pjesë prej tyre rezultuan se i plotësonin standardet për t’i tregtuar produktet drejt konsumatorit, ndërkohë që nga ana tjetër disa prej tyre i është vendosur “dryni”. Kjo si pasojë e mosplotësimit të kushteve higjieno-sanitare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA