Fier, zhduket nga spitali i sëmuri me zemër

19/07/2010 08:20

Zhduket nga spitali, kërkohet prej tri ditësh nga familjarët.

Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në spitalin rajonal të Fierit, ku Sami Memushi, nga Cakrani, prej disa ditësh ishte shtruar për të marrë trajtim të hospitalizuar.

Ai vuante nga zemra dhe mjeku specialist i kishte rekomanduar shtrimin sa më shpejt të tij në spital, për të marrë trajtim të plotë mjekësor. Të afërmit e kishin shoqëruar për në spital në datën 13 korrik dhe ai ishte sistemuar në katin e tretë të spitalit rajonal të Fierit, ku ndodhet reparti i shërbimit të sëmundjeve të brendshme.

66-vjeçari, në bazë të regjistrimit të shtrimeve, mbajtur nga autoritetet shëndetësore të spitalit rajonal Fier, rezulton i shtruar në datën 13 korrik. Ky fakt figuron në regjistrin e shtrimeve në katin e parë të urgjencës, ku shënohen të gjithë emrat e të shtruarve të spitalit. Pasditen e 15 korrikut, kanë ardhur për të vizituar Memushin të afërmit.

Ata i janë drejtuar dhomës në katin e tretë, por nuk e kanë gjetur aty. Ata kanë kontrolluar nëpër të gjithë katin, oborrin e spitalit dhe më pas të alarmuar kanë kontaktuar me infermieret e shërbimit, por edhe ato nuk kanë pasur ndonjë informacion për 66-vjeçarin. Kontrolli për Memushin e zhdukur ka vijuar nga të afërmit dhe nga bluzat e bardha. Kontrolli ka nisur në mjediset e spitalit, por nuk është gjetur ndonjë gjurmë.

Për të qenë më të sigurt, infermierët kanë telefonuar në familjen e tij, por as ata nuk kishin dijeni. Në këto kushte është njoftuar policia. Një oficer i policisë gjyqësore ka marrë kontakt me familjarët, të cilët kanë bërë edhe denoncimin e zhdukjes së 66-vjeçarit Sami Memushi.

“U bënë më shumë se tri ditë, edhe pse nga ana e familjes janë bërë kërkime dhe janë pyetur të afërm, askush nuk ka dhënë një përgjigje për vendndodhjen e tij”, tregon një nga të afërmit e të zhdukurit. Nga ana tjetër, drejtues të spitalit shprehen se nuk mbajnë përgjegjësi për largimin e tij. Në kushtet që ka spitali të sëmurët mund të dalin jashtë me të afërmit ose vetëm dhe nuk kthehen më. “Ne nxjerrim të sëmurë vetëm atëherë kur ai shërohet plotësisht dhe dalja e tij kryhet nga mjeku kurues pas plotësimit të kartelës dhe firmosjes së tij. Në këtë rast nuk ka ndodhur kështu”, ka thënë drejtoresha e spitalit, Donika Alushani, lidhur me rastin e zhdukjes së pacientit.

Ndërkohë që policia ka nisur kontrollet në terren për të gjetur të moshuarin. Zyrtarisht, Policia e Fierit ka thënë për gazetën “Shqip” se Sami Memushi është shpallur person i zhdukur, pas denoncimit që kanë kryer familjarët. Inspektori i policisë në fshatin Cakran, ku jeton familja Memushi, si dhe ai i lagjes “1 maj”, në Fier, ku ndodhet spitali që nga momenti i shpalljes së zhdukur të 66-vjeçarit kanë nisur ta kërkojnë atë, duke marrë informacion nga çdo person që mund të dijë diçka për lëvizjet e fundit të Sami Memushit.

Ende nuk është siguruar asnjë gjurmë, madje nuk dihet sesi dhe se kur ka dalë nga spitalit 66-vjeçari.
Sipas bluzave të bardha, Memushi shfaqte probleme mendore, ndërkohë që nuk pranohet nga familjarët. Sami Memushi nuk është konsideruar person problematik, ndërkohë që familjarët kanë thënë për policinë se ditët e fundit ishte bërë i heshtur.
Ndërkaq policia ka hedhur dyshimet edhe të një rasti vetëvrasjeje të mundshme nga ana e 66-vjeçarit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA