
Ministri i Financave, Ridvan Bode ka kritikuar opozitën për qëndrimin e mbajtur sot në Parlament, gjatë diskutimeve për buxhetin dhe ekonominë.
Gjatë fjalës së tij pas daljes së PS nga salla e Kuvendit, Bode ka deklaruar se e majta nuk paraqiti asnjë alternative dhe veproi sipas tij në bazë të interesave të kryetarit të saj, Edi Rama.
“Diskutimi po përfundon me një shfaqje të opozitës, që sic hyri ashtu dhe doli nga kjo sallë. Pa paraqitur asnjë ide dhe asnjë alternativë. Ishte një rast i artë për opozitën që në një debat si ky të mund të shprehte alternativën dhe programin e saj dhe të ballafaqohej me qeverinë për ato cështje që nuk është dakord”, ka pohuar Bode.
“PS interpretoi pamfletin që kryetari i opozitës u vë në gojë deputetëve të tij. Ata janë të shqetësuar vetëm për kolltukun e kryetarit të bashkisë së Tiranës, që ka një ëndërr kryeministrore”, ka theksuar ai.
Bode ka nënvizuar se gjatë mandatit të saj, qeveria mori të gjitha masat për të luftuar krizën ekonomike, të cilat sipas tij bënë që në vitet 2008-09 Shqipëria të kishte rritjen më të lartë në Evropë.
Ai ka shtuar më tej se buxheti i këtij viti ka nivelin më të larrtë prej 27.2% të GDP-së si të ardhura në buxhetin e shtetit.
Top Channel